Bashkia e re përbëhet nga qyteti historik i Delvinës dhe komuna Vergo, pjesë e rrethit Delvinë. Qyteti i Delvinës ka kultivuar një histori të pasur të bashkëjetesës fetare mes myslimanëve, kristianëve dhe hebrenjve në të shkuarën. Qyteti ka traditë në artizanat si dhe objekte të trashëgimisë kulturore, të cilat nuk përdoren aktualisht për turizëm.

Bashkia e Delvinës ka në territorin e saj edhe një vendburim gazi, i cili aktualisht shfrytëzohet nga një kompani koncesionare private.

Banorët e qytetit kanë shqetësime për cilësinë e ujit të pijshëm në qytet. Bashkia e re e Delvinës u krijua si një bashki me popullsi të konsiderueshme të minoritetit grek.

Ndryshe nga qyteti i Delvinës, komuna Vergo është një zonë e gjerë rurale me densitet të ulët të popullsisë.

Bujqësia, blegtoria dhe vreshtaria, krahas institucioneve publike janë burimet kryesore ekonomike të zonës. Papunësia është shumë e lartë dhe një pjesë e madhe e popullsisë punon në Sarandë.

Largimi i popullsisë së re dhe të arsimuar ka krijuar vështirësi në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë.

Nga ana tjetër, prania e shumë kulturave në qytet ofron mundësi për zhvillim, ndërsa afërsia e bashkisë së re me qytetin turistik të Sarandës ofron potencial të lartë për zhvillimin e bujqësisë.

AlbaniaUSA